Sot bëhen trembëdhjetë vjet që Arbën Xhaferi nuk është më mes nesh.
- Arian Galdini

- Aug 15
- 2 min read
Sot bëhen trembëdhjetë vjet që Arbën Xhaferi nuk është më mes nesh.
Unë nuk e kam njohur thjesht si një emër të madh të politikës dhe mendimit shqiptar, por si mik.
Një mik me të cilin kam ndarë biseda të gjata, darka të qeta, diskutime ku fjalët nuk ishin për të bërë përshtypje, por për të ndriçuar kuptimin e gjërave.
Arbëni kishte atë qetësinë e njeriut që nuk ka nevojë të ngrejë zërin për t’u dëgjuar.
Ishte i kthjellët, i përqendruar, dhe çdo fjali e tij kishte peshën e një përfundimi të menduar gjatë.
Tek ai shihje një urtësi të lindur dhe një vizion që shkonte shumë përtej horizontit të ditës.
Ai e shihte çështjen shqiptare si një tërësi të pandashme, ku shqiptarizmi nuk ishte vetëm kujtesë dhe ndjenjë, por një projekt i gjallë zhvillimi, kulture dhe dinjiteti.
Fliste shpesh për idenë e komunuelthit ekonomik shqiptar, jo si një ëndërr romantike, por si një domosdoshmëri strategjike, bashkimi i tregjeve, i dijes, i energjive njerëzore në gjithë hapësirën mbarëshqiptare.
Për të, ky ishte një hap i pashmangshëm drejt forcimit të kombit dhe sigurimit të një të ardhmeje të qëndrueshme.
Bashkimi kombëtar, në mendimin e tij, nuk ishte slogan, por një proces i matur, i përgatitur, dhe mbi të gjitha i bazuar në vullnet e vetëdije.
Për mua, ai mbetet një nga njerëzit më të veçantë që kam njohur. Në shoqërinë e tij, koha nuk ecte me minuta e orë, por me ide.
Mund të kalonim nga një analizë e ftohtë politike te një reflektim për letërsinë, nga historia te përditshmëria, pa e ndjerë se ishim larguar nga një bosht i përbashkët, dashuria për kombin dhe përgjegjësia ndaj tij.
Sot, teksa kujtoj fytyrën e tij të qetë dhe zërin e tij të butë, e ndjej se humbja e Arbën Xhaferit ishte shumë më tepër se humbja e një personaliteti publik.
Ishte humbja e një mendjeje të kthjellët dhe e një shpirti të madh.
Për mua ishte edhe humbja e një miku që dinte të dëgjonte, të këshillonte dhe të sfidonte me pyetje që të shtynin të mendoje më thellë.
Ai mbetet në kujtesën time ashtu siç e kam njohur, një mik i vërtetë, një mendimtar i rrallë dhe një shqiptar i madh që e pa kombin jo si një realitet të dhënë, por si një vepër të përbashkët që duhet ndërtuar çdo ditë.
.png)





















Comments