top of page

Streha që i ndërton kundërshtimi!


Nga Arian Galdini


Një pushtet i gjatë nuk mbahet vetëm nga ata që i binden.


Ndonjëherë mbahet edhe nga ata që e kundërshtojnë keq.


Kjo është pjesa më e vështirë për t’u thënë në një kohë kur sheshi po rritet, kur emocioni është i lartë, kur pamja duket më e fortë se arsyetimi dhe kur çdo dyshim rrezikon të quhet sulm apo tradhti ndaj kauzës.


Kur një plagë lokale hyn në qarkullim ndërkombëtar, ajo nuk mbetet më vetëm plagë. Bëhet skenë.


Dhe skena i jep njeriut ndjesinë se nuk po del më vetëm.


Por pikërisht në kohë të tilla pyetja duhet bërë më ftohtë.


Zvërneci nuk është plagë e shpikur.


Prona, mjedisi, lejet, forca private, sjellja e shtetit dhe e drejta e qytetarit për të ditur kërkojnë përgjigje.


Banori që sheh vendin e vet të mbyllet para se të dëgjohet nuk është pengesë.


Qytetari që del për të kërkuar llogari nuk është armik i zhvillimit.


Megjithatë, një plagë reale mund të hyjë shumë shpejt në përdorim nga duar që nuk kërkojnë shërim, por skenë.


Aty nis problemi.


Rritja e një proteste nuk është gjithmonë provë se një shoqëri ka gjetur qendrën.


Ndonjëherë është vetëm provë se shumë pakënaqësi kanë gjetur të njëjtin vend për t’u derdhur.


Njëra hyn për natyrën, tjetra për pronën, një tjetër kundër qeverisë, një tjetër kundër opozitës së vjetër, dikush për të qenë në anën e momentit, dikush për të gjetur rrugën e vet drejt një pushteti të ri.


Kjo nuk e bën protestën të rreme.


E bën të pamjaftueshme si provë.


Një shoqëri ku njeriu ka matur për vite një pëlqim, një koment, një dalje publike, një fotografi me njeriun e gabuar, nuk bëhet papritur e patrembur pa ndryshuar kostoja e frikës.


Mund të zgjohet ndërgjegjja.


Mund të jetë mbushur kupa.


Mund të jetë thyer durimi.


Por kur guximi bëhet menjëherë i sigurt, i mbuluar, i amplifikuar dhe i përdorshëm nga shumë palë, pyetja nuk është më vetëm pse dolën njerëzit.


Pyetja është kush po e bën daljen kapital.


Këtu qëndron rreziku më i madh.


Jo çdo kundërshtim e dobëson pushtetin.


Kundërshtimi pa formë, pa burim të qartë, pa përfaqësim të besueshëm, pa kufi dhe pa disiplinë mund t’i japë pushtetit alibinë që kërkon: frikën nga rrëmuja.


Rama e di këtë.


Ai mund të plagoset nga protesta, por paqartësinë e saj e përdor si lëndë për t’u shitur sërish si rendi i vetëm përballë rrëmujës.


Politika e vjetër e di gjithashtu.


Ajo nuk ka nevojë ta drejtojë hapur një valë, i mjafton që zemërimi kundër Ramës të mos pyesë kush pret pas tij.


Prandaj nuk më mjafton numri.


Më duhet forma.


Nuk më mjafton pamja.


Më duhet përgjegjësia.


Një protestë që fillon të kërkojë emër, përfaqësim dhe të nesërme politike nuk është më vetëm protestë, është pretendim për trup.


Nuk më mjafton të di kush është kundër Ramës.


Më duhet të di kush kërkon të vijë pas tij.


Sepse vala trondit. Organizmi ndryshon.


Vala mbledh zemërim. Organizmi mban barrë.


Vala mund ta dëmtojë pushtetin.


Organizmi mund ta zëvendësojë pa u bërë strehë e së njëjtës sëmundje.


Shqipërisë nuk i duhet një tjetër valë që ngrihet mbi plagë reale dhe përfundon në pronësi të padukshme.


Nuk i duhet një zemërim që ia jep Ramës fytyrën e stabilitetit dhe politikës së vjetër mundësinë të lahet në një ujë që nuk e pastroi kurrë vetë.


I duhet një kundërshtim që nuk shërben si strehë për atë që lufton.


Sepse një vend nuk çlirohet kur zhurma bëhet më e madhe.


Çlirohet kur kundërshtimi bëhet aq i kthjellët, sa pushteti nuk e përdor dot më për të shpëtuar veten.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page