Të prashitësh në ujë: Arbën Xhaferi dhe kombi si vepër!
- Arian Galdini

- 2 days ago
- 6 min read
Nga Arian Galdini
Mbaj mend një tryezë më qartë se shumë tribuna.
Nuk më vjen përpara si datë, as si vend që duhet dëshmuar me saktësinë e një procesverbali, por si një hapësirë ku fjala nuk nxitonte të bëhej qëndrim para se të ishte bërë mendim.
Kishte gota, pjata, njerëz që dëgjonin njëri-tjetrin, dhe Arbën Xhaferin që nuk hynte në bisedë për ta fituar atë.
Rrinte pak më gjatë në pritje, sikur donte të shihte nëse mendimi i tjetrit do ta gjente vetë kufirin e vetë.
Pastaj fliste me një zë që nuk kërkonte epërsi.
Fjalia vinte e ulët, por nuk kalonte lehtë.
Në një prej atyre mbrëmjeve, duke folur për punën ndaj kombit, Arbëni më tha një fjali që vitet ma kanë kthyer shpesh, sa herë kam parë punë të drejta të mbuluara nga mosmirënjohja, nga harresa, nga zhurma e njerëzve që vijnë më vonë dhe e quajnë të vetën atë që të tjerët e nisën pa emër.
Më tha se të punosh ndershmërisht për kombin është njëlloj si të prashitësh në ujë.
Po ta kishte thënë një njeri i thyer, do ta kisha marrë për dorëzim.
Te Arbëni dëgjova diçka tjetër.
Nuk ishte cinizëm dhe as lodhje prej shqiptarisë.
Ishte ajo maturi e rëndë e njeriut që e di se puna për kombin shpesh nuk të jep tokën ku të mbetet brazda.
Dora lëviz, vegla çan sipërfaqen, uji mbyllet dhe pas pak shenja nuk duket më.
Mundimi ka ndodhur, por vendi ku ra mundimi nuk e ruajti.
Kjo nuk e bën punën të pavlerë.
E bën më të vështirë, sepse ia heq njeriut premtimin e shpërblimit të dukshëm.
Arbëni nuk po më mësonte të mos punoja.
Po më mësonte të mos e masja ndershmërinë e punës me sigurinë se dikush do ta njohë, do ta përmendë, do ta falënderojë, do t’ia ruajë emrin.
Kombi, kur merret seriozisht, nuk është gjithmonë arë që ta kthen menjëherë dorën me bimë.
Shpesh është ujë.
Shpesh puna zhduket në dukje.
Shpesh atë që ti përpiqesh ta hapësh, dita e mbyll përsëri.
Por pyetja nuk është nëse uji të bind të ndalesh.
Pyetja është nëse detyra që ndien ndaj së ardhmes varet nga garancia se gjurma jote do të shihet.
Kjo fjali ma shpjegon Arbën Xhaferin më mirë se shumë përshkrime.
Ai nuk e mendonte kombin si pronë emocionale ku mjafton të thuash se je.
E mendonte si vepër.
Dhe vepra kërkon më shumë se përkatësi.
Kërkon zotësi, durim, institucione, shkollë, qarkullim idesh, marrëdhënie që e bëjnë afërsinë të dobishme për jetën e njerëzve.
Mund ta duash Shqipërinë dhe prapë ta varfërosh, po qe se dashuria nuk di të bëhet aftësi.
Mund ta përmendësh kombin çdo ditë dhe, megjithatë, të mos i shtosh asgjë që e bën më të ditur, më të lirë, më të fortë, më të organizuar për brezin që vjen pas.
Prej këtij vendi duhet kuptuar edhe Skicë për mbrothësinë e përbashkët.
Nuk ishte një tekst për ta ngushtuar shqiptarinë te tregu, as një projekt teknik për shkëmbim mallrash.
Ishte përpjekje për t’i dhënë tokë asaj pune që shumë herë shqiptarët e kishin bërë mbi ujë.
Arbëni kërkonte që afërsia jonë të mos mbetej vetëm në gjak, gjuhë, kujtesë e ceremoni, por të kthehej në lidhje që ruajnë mundin, në dije që kalon prej një hapësire shqiptare në tjetrën, në mundësi që nuk mbyllen te kufiri administrativ, në kulturë që nuk takohet vetëm në festa, në ekonomi që i jep jetës kombëtare kockë dhe fryt.
Një popull mund të jetë i bashkuar në këngë dhe i shpërndarë në jetë.
Arbëni e shihte këtë rrezik pa e zbukuruar.
Prandaj mendimi i tij për bashkimin nuk kishte thjesht temperaturën e dëshirës.
Ai nuk e trajtonte bashkimin si një çast ku historia do t’i falte shqiptarët me një akt të vetëm.
Një bashkim pa aftësi mund të bashkojë edhe paaftësitë.
Një hapësirë më e madhe, pa qytetar më të përgatitur, pa shkollë më të mirë, pa ekonomi më të gjallë, pa institucion më të drejtë, mund të bëhet vetëm hartë më e gjerë e dobësisë.
Arbëni kërkonte që kombi të mos e shpenzonte veten në shpallje.
Ta bënte veten të banueshëm.
Kjo e bënte properëndimor në mënyrën më serioze të fjalës.
Perëndimi, për të, nuk ishte stoli diplomatike dhe as vulë për t’i dhënë hijeshi një qëndrimi politik.
Ishte disiplinë e brendshme e shqiptarizmit.
Do të thoshte ligj që i jep qytetarit vend, liri që nuk mbetet në gojën e pushtetit, shkollë që nuk mashtron fëmijën, shtet që nuk e përdor njeriun, mendim që nuk trembet nga pyetja.
Arbëni nuk kërkonte që shqiptari të bëhej më pak vetja për t’u bërë perëndimor.
Kërkonte që shqiptari të mos përdorte emrin e vetë si zëvendësim për standardin që duhet të mbante.
Kjo është arsyeja pse hyrja e tij në politikë nuk duhet parë si ulje e mendimtarit drejt baltës së ditës, por si provë e pamëshirshme e mendimit.
Filozofi mund të ruajë pastërtinë e vetë duke mos marrë vendime.
Politikani nuk e ka gjithmonë këtë strehë.
Arbëni hyri në parti, në përplasje, në negociatë, në përgjegjësi ku fjalia nuk mbetet më vetëm e bukur, por mund të kushtojë.
Ai ishte shqiptar i një horizonti mbarëkombëtar dhe, njëkohësisht, vepronte në një shtet shumëetnik ku fjala e pamatur mund të nxiste frikë, konflikt, prishje të rrugëve të mundshme.
Kjo nyje nuk e zvogëlon.
Përkundrazi, aty del më qartë pesha e tij, nuk e braktisi vizionin për të shpëtuar ditën dhe nuk e dogji ditën për të ruajtur një vizion të papërgjegjshëm.
Unë nuk dua ta bëj sot Arbënin më të thjeshtë se ç’ishte.
Nuk dua as ta kthej në ikonë të qetë që nuk shqetëson më askënd.
Ai dinte të ishte i butë në zë dhe i rreptë në kërkesë.
Mund të të dëgjonte me durim dhe prapë të të hiqte të drejtën e komoditetit.
Shpesh fitoje prej tij jo një përgjigje të gatshme, por një pamundësi të re për ta menduar cekët atë që pak më parë të dukej e qartë.
Kjo ishte dhurata e tij më e vështirë si mik, nuk të linte të çlodheshe brenda fjalëve që të pëlqenin.
Kur shoh sot fotografitë e atyre viteve, më vjen përpara ky kalim i tij nga tryeza te fjala publike.
Në njërën pamje njerëzit rrinë pranë njëri-tjetrit, me gota uji, me fytyra që dëgjojnë, me atë intimitet të rrallë ku politika ende mund të jetë bisedë.
Në tjetrën është mikrofoni, paneli, përgjegjësia e fjalës së thënë përpara të tjerëve.
Arbëni nuk i ndante këto dy botë.
Mendimi duhej të piqej para se të dilte.
Por, pasi piqej, nuk kishte të drejtë të fshihej përgjithmonë te tryeza.
Duhej të përballej me publikun, me shtetin, me kohën.
Katërmbëdhjetë vjet pas ikjes së tij, humbja më duket më e madhe se mungesa e një miku.
Miqtë mungojnë në mënyra që nuk i sheh kush tjetër.
Por njerëz si Arbën Xhaferi lënë pas edhe një boshllëk më të gjerë, ulet numri i atyre që dinë ta mbajnë shqiptarinë larg dy rreziqeve të saj më të shpeshta, sentimentalizmit që nuk ndërton dhe pragmatizmit që harron pse ndërton.
Pa të, na mungon një mendje që nuk e ngatërronte dashurinë me aftësinë, kujtesën me punën, kombin me vetëkënaqësinë.
Ndoshta për këtë më kthehet gjithmonë ajo fjali e tryezës.
Të prashitësh në ujë.
Sa herë kam parë njerëz që lodhen për një punë të drejtë dhe nuk marrin as emër, as falënderim, as rezultat të menjëhershëm, kam menduar se Arbëni e kishte parë këtë shumë herët.
Sa herë kam parë ide që shfaqen para kohe dhe pastaj mbulohen nga interesi i ditës, kam menduar përsëri për ujin që nuk e ruan brazdën.
Sa herë kam parë kombin të thërritet fort dhe të punohet pak për të, më është dukur se fjalia e tij nuk ishte këshillë, por gjykim.
Sot e kuptoj se në të kishte një etikë më të ashpër se shpresa.
Shpresa, ndonjëherë, kërkon të shohë shenjën për të vazhduar.
Detyra nuk e ka gjithmonë këtë kërkesë.
Njeriu i ndershëm nuk punon për kombin sepse historia i ka firmosur një marrëveshje mirënjohjeje.
Punon sepse ka gjëra që duhen bërë edhe kur emri i atij që i bën mund të humbasë.
Punon sepse një popull që heq dorë nga çdo punë pa shpërblim të dukshëm e lë të ardhmen në duart e rastit, të zhurmës dhe të atyre që dinë vetëm të korrin ku të tjerët janë lodhur pa u parë.
Arbën Xhaferi e njihte ujin.
E dinte se politika harron, se kombi mund t’i përdorë njerëzit e vetë pa u kujtuar t’i nderojë, se institucionet nuk e ruajnë gjithmonë përpjekjen, se mirënjohja është ndër pasuritë më të pasigurta të jetës publike.
Megjithatë vazhdoi të punonte.
Kjo është arsyeja pse sot nuk dua ta vendos më lart se njeriu që ishte.
Dua ta mbaj aty ku më flet ende më fort, në një tryezë, përballë, duke më thënë një fjali që koha e ka rënduar.
Dhe kur mendoj për atë ujë që mbyllet mbi brazdën sapo dora kalon, e kuptoj se ndoshta Arbëni nuk po më mësonte si të fitoja mbi harresën.
Po më mësonte si të mos bëhesha rob i saj.
Puna e ndershme për kombin mund të mos e ruajë gjithmonë gjurmën e njeriut që e kreu, por një popull humbet diçka vendimtare kur nuk nxjerr më njerëz të gatshëm ta bëjnë atë punë pa kontratë me lavdinë.
Në fund, ndoshta ky është mësimi më i rëndë që më la miku im, uji mund ta mbyllë gjurmën, por njeriu që e di pse punon nuk e lë veglën nga dora.
Arian Galdini
.png)



Comments